Homazhe te lapidari për policin Enver Zymeri, 26.07.2024. Foto: Adelinë Ahmeti/KALLXO.com

Një pjesë e kabintetit qeveritar bën homazhe te lapidari i Enver Zymeri

Një 13 vjetorin e rënies së policit Enver Zymeri gjatë kryerjes së detyrës, një pjesë e kabinetit qeveritar të Kosovës, kanë bërë homazhe te lapidari i ngritur në nderim të tij.

Homazhe te lapidari kanë bërë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e policisë Gazmend Hoxha e pjesëtarë të tjerë të menaxhmentit të policisë.

Enver Zymeri ishte vrarë në veri të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Vendi ku ishte vrarë Enver Zymberi është fshati Varage e Poshtme e Zubin Potokut.

Enver Zymberi ishte pjesëtar i njësisë speciale ROSU.

Në vitin 2012, ishte dekoruar post-mortum nga ish-presidentja Atifete Jahjaga me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Për t’i nderuar policët dhe kontributin e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë në kryerje të detyrës pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë, homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies të policit Enver Zymeri dhe gara profesionale të kërcimit në urën e parë të Liqenit të Ujmanit.