Një pjesë e grevistëve të Ministrisë së Kulturës ndërpret përkohësisht grevën

Shërbimi i pagesave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndërprerë përkohësisht grevën për t’ i mundësuar Ministrisë realizmin e pagesave dhe mbylljen e vitit fiskal 2019, duke e shpëtuar kështu MKRS nga një kolaps i mundshëm financiar.

Pezullimi i përkohshëm i grevës së punëtorëve të shërbimit të financave në MKRS deri në fund të këtij viti është konfirmuar për KALLXO.com nga këshilli grevist i punëtorëve të MKRS-së.

Labinot Berisha, kryetar i këshillit grevist të punëtorëve të MKRS-së, ka thënë se kanë arritur një marrëveshje të njëanshme për të pezulluar përkohësisht grevën në këtë sektor vital të Ministrisë.

“Këshilli grevist pas takimin edhe me stafin e MKRS si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë, ka marrë vendim (të njëanshëm) për të mos lejuar që 4.5 milionë euro të shkojnë në suficit dhe një situatë të mundshme kaotike në Ministri, ka marrë vendim që shërbimi i pagesave në MKRS të ndërpres përkohësisht grevën derisa të bëhen pagesat. Por jo, pas përfundimit të këtij muaji”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se Këshilli bën thirrje për anulimin e vendimit të 18.12.2019 të MAP-it për zhvendosjen e MKRS nga objekti aktual.

Në anën tjetër, zyrtarë të MKRS nuk kanë konfirmuar ndërprerjen e përkohshme të grevës nga sektori i pagesave. Ata kanë mohuar të jenë në bisedime me grevistët e MKRS për gjetjen e një zgjedhje pas grevës së përgjithshme të punëtorëve të kësaj Ministrie.

Që nga dita e premte e javës së kaluar të gjitha shërbimet në MKRS janë bllokuar për shkaka të grevës së përgjithshme të punëtorëve të saj, pas vendimit të MAP, përmes së cilit urdhërohet largimi i stafit të Ministrisë nga objekt aktual.

Këshilli grevistë i punëtorëve të MKR-së ka bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri sa Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për largimin e MKRS nga ndërtesa e ish-partive politike dhe dhënien e saj në shfrytëzim të Presidencës së Kosovës.