Në një shtëpi në Gjilan, 27.12.2024

Një pjesë e Gjilanit dhe fshatrave përreth pa rrymë që nga ora 11:00

Një qytetar ka raportuar se një pjesë e Gjilanit dhe fshatrave përreth janë pa energji elektrike nga ora 11:00.

Sipas qytetarit, lagjet “Dardania l”, “Dardania ll”, “Rruga e Prishtinës” në Gjilan dhe fshatrat përreth nuk kanë energji elektrike.

Zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Lulzim Krasniqi, i kontaktuar nga KALLXO.com tha se edhe Gjilani është një nga komunat ku ka mbingarkesa të energjisë elektrike, dhe për shkak të kësaj ka ndërprerje të energjisë elektrike.

“Zonat më të afektuara kanë qenë regjioni i Ferizajt, Gjakovës edhe Prizrenit. Mirëpo, intervenimi në bashkëpunim me KOSTT-in edhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet relevante është bërë në Gjilan, Lipjan, Prizren, Fushë-Kosovë edhe Malishevë, me qëllim të balancimit të ngarkesave” – ka thënë Krasniqi më 27.12.2024.

Sipas Krasniqit, 140 ekipe me 500 punëtorë gjithsej të KEDS-it janë duke punuar këto ditë në terren.

“Për festat e fundvitit, KEDS ka angazhuar ekipe shtesë duke arritur në një mijë punëtorë në gjendje gatishmërie” – ka treguar Krasniqi.

Edhe përfaqësuesi i KEDS, Bujar Jupaj, në një konferencë për media të premten, më 27.12.2024, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeshefin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka deklaruar se ka mbingarkesë në disa komuna.

Konferenca e tyre u mbajt pas takimit që zhvilluan të tre këta zyrtarë.

“Kemi disa mbingarkesa. Mbingarkesat më të mëdha kanë qenë në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Fushë Kosovë, Malishevë, Rahovec dhe Gjakovë. Mirëpo, në bashkëpunim të ngushtë me Transmisionin (KOSTT) kemi arritë të bëjmë një balancim në Gjilan, në Prizren, Fushë Kosovë dhe Malishevë” – ka thënë Jupaj, më 27.12.2024.

Jupaj, tha se sipas të dhënave, KESCO ka rreth 730 mijë konsumatorë në tërë Kosovën.

Sipas tij, prej tyre rreth 95% furnizohen në të njëjtën kohë dhe ai 5% tjetër ka probleme, si pasojë e mbingarkesës.

Jupaj tha se KEDS-i viteve të fundit ka investuar rreth 260 milionë euro në rrjet.

Ndërsa kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, tha se për pesë vitet e ardhshme KOSTT-i ka në plan të investojë 100 milionë euro në rrjet.

Ai tha se nënstacioni i ri në Fushë-Kosovë tashmë është përuruar, kurse ai i Ferizajt, sipas tij, pritet shumë shpejt të finalizohet.

“Çështja e Ferizajt është në ditën e fundit të punimeve, kemi shpresu se do ta përfundojmë deri në fund të vitit, mirëpo keni parasysh se ngarkesa është tepër e madhe”– tha Zeqiri.

“Jemi duke punuar edhe në Malishevë, ky projekt vitet e kaluara ka qenë i paraparë, mirëpo është largu para vitit 2020 dhe është ndërtu nënstacioni tjetër në Drenas. Megjithatë pasi që kemi marrë detyrën, e kemi vendosur në planin investim dhe e kemi përshpejtu procedurën. Problemi është i përkohshëm, pra këtë javë dhe javën tjetër dhe pastaj do të çlirohen kapacitetet dhe të ulet ngarkesa”.

Sipas Jupajt nga KEDS-i, probleme më të mëdha me reduktime të energjisë elektrike ditëve të fundit ka pasur Ferizaj, Gjakova, Rahoveci dhe Malisheva.

Zeqiri po ashtu ka deklaruar se sistemi elektroenergjetik në Kosovë është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat, ndër të tjera, sipas tij, edhe i “zhvillimit ekonomik në vend në vitet e fundit”.

“Si Operator i Sistemit të Transmetimit dëshirojmë të sqarojmë qytetarët, bizneset, mediat që Sistemi Elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat i zhvillimit ekonomik, që ka ndodhur në vitet e fundit; si rezultat i elektrifikimit të ekonomive e bizneseve tona. Operatori i Sistemit të Transmisionit është duke bërë maksimumin e mundshëm, që të operojë në kapacitetet tona”– tha Zeqiri para gazetarëve.

Ai e përsëriti dy herë gjatë deklaratës së tij se aktualisht Kosova nuk është duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike, por me mbingarkesë.

“Nuk ka mungesë të energjisë elektrike, prodhimi është në maksimum. Ne po operojmë në katër blloqe dhe përveç një blloku, që nuk është në funksion, katër blloqe janë duke punu në maksimum. Po ashtu, KESCO si përgjegjës për furnimzim të mungesës është duke e importu energjinë e munguar dhe KOSST është duke i shfrytëzu të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë, që e kemi në dispozicion”.

E ministrja Rizvanolli tha se ka kërkuar nga të dy operatorët që të bëjnë sa më parë sanimin në lokacionet ku ka probleme me reduktime të energjisë elektrike. 

“I përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve, që i kemi pasur përgjatë ditëve të fundit, me furnizim me energji elektrike – veçanërisht në zona të caktuara. Kërkova prej dy operatorëve që të bëjnë maksimumin që ekipet në terren të sanojnë në masën e mundshme të gjitha lokacionet ku ka probleme – qoftë për shkak të prishjeve ose mbingarkesës” – tha Rizvanolli. 

Sipas saj, është e rëndësishme që investimet në nivel të Transmisionit, që janë duke u bërë, të vazhdojnë me intensitet më të lartë. 

“Është tepër me rëndësi që investimet në nivel të Transmisionit, që janë duke u bërë, si Nënstacioni i Ferizajit, me më së shumti probleme, të vazhdojnë me intensitetin më të lartë të mundshëm, në mënyrë që të fillojë puna sa më shpejtë.” – tha Rizvanolli. 

Sipas saj, kjo pritet të bëhet brenda disa ditësh ose javësh. 


KALLXO.com ka raportuar nga data 25.12.2025 se në prag të festave të fundvitit, disa komuna në Kosovë po përballen me mungesë të rrymës për orë të tëra. 

Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thotë se po punon me kapacitete të plota, ndërsa Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) nuk i ka quajtur reduktime, por “mbingarkesa” dhe ka kërkuar nga konsumatorët që të kursejnë maksimalisht rrymën.

Për këtë problematikë, KALLXO.com ka biseduar me udhëheqës, zyrtarë të komunave të Rahovecit, Malishevës, Ferizajt e Gjilanit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka rreth pesë ditë që kanë nisur reduktime në këtë komunë.