Ilustrim

Një pjesë e Ferizajt mbesin pa energji elektrike për disa orë për shkak të një problemi

Një pjesë e Ferizajt kanë mbetur për 2 orë e 41 minuta pa energji elektrike për shkak të një problemi në një transformator.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se sot është paraqitur një problem në një transformator në Ferizaj dhe i njëjti ka dalë nga puna.

“Sot me 5 mars 2022, në ora 12:51 është paraqitur një problem në fushën e transformatorit TR 3 110/10 kV në NS Ferizaj 1, përkatësisht në releun e kyçjes së ndërprerësit në anën 10 kV, me ç’rast ka reaguar mbrojtja mbirrymore dhe ka dalë nga puna transformatori në fjalë”, thuhet në njoftim.

KOSTT njofton se ekipet e tyre dhe KEDS kanë dalë në terren për të ndërmarrë masat e nevojshme dhe se si pasojë e kësaj rënie, konsumatorët të cilët furnizohen nga ky transformator, kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.

“Ekipet e mirëmbajtjes të KOSTT dhe KEDS kanë dalë menjëherë në terren dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme për eliminimin e problemit të paraqitur. Si pasojë e kësaj rënie konsumatorët që furnizohen nga transformatori TR3 110/10 kV në TS Ferizaji 1 kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike për 2 orë e 41 minuta me ngarkesë rreth 30 MW”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se komisioni i ekspertëve të KOSTT-it do të analizojë shkaqet e paraqitjes së lidhjes së shkurtër në Rrjetin e Transmetimit dhe do të bëjë raportimet përkatëse në pajtim me Kodin e Rrjetit.