Një pistoletë e një thikë, u kapen dy të miturve në Lipjan

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy të mitur në Lipjan nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.

Në rastin e parë, të premten Policia bën të ditur se i mituri është arrestuar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një thikë.

Sipas PK-së, me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin e dytë, i mituri tjetër është arrestuar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tre fishekë.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Përfaqësues të institucioneve të rendit dhe ligjit, kishin bërë të ditur se në Kosovë ka një numër të madh të qytetarëve të cilët mbajnë armë pa leje.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë mbi 250 mijë sosh. Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7,500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet. Gjithashtu sipas këtij kodi parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.