Ilustrim

Një person ndalohet nga policia për falsifikim të parave

Hetuesit në Stacionin Policor në Suharekë, më 11 mars kanë ndaluar një të dyshuar për falsifikim të parave.

Sipas policisë gjatë intervistës para avokatit mbrojtës i dyshimti e ka pranuar veprën penale te cilën e ka kryer.

“Hetuesit policor në Suharekë të cilët duke mbledhur informacione nga dëshmitarë për shpërndarjen e parave të falsifikuara në rajonin e Suharekës, ku një person i dyshimtë këto para i kishte deponuar në dy raste në bankat e vendit në shumat 2x 500 euro (pesëqind euro). Gjithashtu i njëjti  në rastin e fundit me datë 10 mars 2021, kishte arritur që përmes blerjes të mashtrojë një viktimë duke i dhëne po ashtu një monedhë në vlerë prej 500 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë i dyshimti tashmë i njohur si B. K., i lindur në vitin 2000, është arrestuar dhe ndaluar në mbajtje prej 48 ore.

“Monedhat e falsifikuara 3×500 euro janë sekuestruar si dëshmi për ti paraqitur në kallëzimin penal. Në lidhje më këtë rast është informuar prokurori i Shtetit i cili ka lëshuar aktvendim për ndalimi e të dyshimtit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës apelon për të gjithë qytetarët që rastet e njëjta të paraqiten menjëherë në polici, dhe njëherë kërkon nga bizneset apo qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur pranojnë shuma të tilla të monedhave gjatë shitjes apo blerjes së mallrave, pasi sipas policisë në kohët e fundit ka raste të shpeshtuara të falsifikimit të parasë të cilat janë vënë në qarkullim.