Një person fiton xhekpotin mbi 215 milionë euro në Britaninë e Madhe

Një person në Mbretërinë e Bashkuar ka fituar xhekpotin mbi 184 milion £ (215,473,218 euro) nga “EuroMillions”, çmimi më i madh i Lotarisë Kombëtare të vendit.

Numrat fitues të së martës ishin 3, 25, 27, 28 dhe 29 – plus Ylli me fat 4 dhe 9, raporton BBC.

Kjo do të thotë se 15 lojtarë në Mbretërinë e Bashkuar kanë fituar tani xhekpote prej më shumë se 100 milion £ që nga fillimi i “EuroMillions” në 2004.

Fituesi do ta gjejë veten përpara personazheve të famshëm si këngëtarja Adele – 130 milion £ (152,032,325 euro) dhe boksieri Anthony Joshua – 115 milion £ (134,490,133 euro) në listën e të pasurve të “Sunday Times”.

Derisa bileta me fat i solli fituesit mbi 215 milionë euro, vlera më e madhe e fituar në lotari në MB ishte 170 milion £ në tetor 2019. Fituesi zgjodhi të qëndronte anonim.

Pasi bileta të jetë vërtetuar dhe paguar, fituesi do të vendosë nëse dëshiron të identifikohet.

Colin dhe Chris Weir, të cilët fituan 161 milionë funte në vitin 2011, janë fituesit më të mëdhenj që kanë dalë në publik.

Colin Weir përdori pasurinë e tij për të marrë përsipër klubin e tij të preferuar të futbollit, Partick Thistle, me synimin për t’i dhënë pronësinë tifozëve.

Çifti nga North Ayrshire njoftuan se do të divorcoheshin në vitin 2019 pas 38 vitesh martesë, dhe muaj më vonë zoti Weir vdiq në moshën 71-vjeçare.

Frances Connolly, e cila me bashkëshortin Patrick fitoi 115 milionë funte në 2019 – duke i bërë tani fituesit e tetë më të mëdhenj të lotarisë – tha muajin e kaluar se ajo kishte dhuruar më shumë se gjysmën e pasurisë së saj.

Andy Carter i Camelot, këshilltari i lartë i fituesve në Lotarinë Kombëtare, tha: “Çfarë nate e mahnitshme për fituesin në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka fituar çmimin e pabesueshëm prej 184 milion £ EuroMillions – ata janë bërë fituesit më të mëdhenj ndonjëherë të Lotarisë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

“Lojtarët janë të nxitur të kontrollojnë biletat e tyre dhe të na telefonojnë nëse mendojnë se janë fituesi me fat i sonte.”