Një përrallë paralajmëruese gjermane për Britaninë

Politika ekonomike e Gjermanisë e dekadës së fundit na tregon diçka me rëndësi: se e paqëndrueshmja nuk bëhet e qëndrueshme vetvetiu.

Otto von Bismark, kancelari gjerman i shekullit të 19-të është cituar të ketë thënë: “Vetëm një budalla mëson nga gabimet e tij. Njeriu i mençur mëson nga gabimet e të tjerëve”. Rishi Sunak nuk ka qenë në detyrën e kryeministrit për aq kohë të gjatë sa për t’u kualifikuar si një budalla në përkufizimin e Bismarkut. Por ai mund të kishte mësuar nga gabimet e pasardhësve modernë të Bismarkut. Britania e Madhe dhe Gjermania kanë probleme shumë të ndryshme ekonomike. Gjermania ishte bërë e varur nga industritë e vjetra dhe teknologjia e vjetër. BREX-it i ka përkeqësuar sëmundjet ekonomike para-ekzistuese siç janë si produktiviteti i ulët dhe varësia e industrisë së saj financiare nga eurozona. E përbashkëta e të dyja vendeve është se modelet e tyre ekonomike janë të paqëndrueshme dhe se liderët e tyre politikë kanë bërë llogari të gabueshme.

Politika e Angela Merkelit në dekadën e fundit është një përrallë paralajmëruese, që i jep ligjërata kryeministrit britanik, Rishi Sunak. Me gjithë ashpërsinë e saj analitike, Merkel ishte në vazhdimësi e painteresuar për zgjidhjen e problemeve. Ajo ra dakord për standardet globale të emetimeve ose objektivat e shpenzimeve ushtarake të NATO-s, të cilat nuk kishte ndërmend dhe asnjë mjet për t’i përmbushur. Politikat shtrënguese të koalicioneve të njëpasnjëshme të udhëhequr nga Merkel rezultuan me një mungesë prej gjysmë trilionë funtash të investimeve publike.

Pasojat e tmerrshme janë bërë të dukshme vetëm kohët e fundit. Rrjeti celular është jofunksional në shumë vende, aq sa vizitorët në Gjermani mendojnë se telefonat e tyre janë të prishur. Një autostradë që e lidh veriun dhe jugun e Gjermanisë është mbyllur përgjithmonë sepse nuk kishte fonde financiare për ta riparuar një urë që ishte bërë e pasigurt. Një gjeneral i Bundeswehr-it paralajmëroi se ushtria është aq e pafinancuar saqë nuk janë në gjendje ta bëjnë një luftë pëertej disa javësh. Këtu ka një model të qartë.

Asgjë nuk krahasohet në terma afatshkurtër me vendimin e Merkelit për ta përshpejtuar daljen nga energjia bërthamore. Gjermania nga jashtë ishte një ekonomi e suksesshme gjatë periudhës së saj Merkelit si kancelare. Normat e rritjes ishin të mira dhe financat publike ishin të qëndrueshme. Disa vëzhgues të huaj e naiv mbetën aq të impresionuar sa i dhanë asaj vlerësimin e lideres së botës perëndimore. Ata nuk panë se çfarë po ndodhte nën kapuç.

Gjermania e ka humbur revolucionin dixhital në shumë sektorë. Ajo ishte ende e ngjitur pas industrive të shekullit të 20-të që mbështeteshin në gazin e lirë rus për të mbetur më konkurrues. Deri më sot, politikanët gjermanë, qofshin konservatorë apo të gjelbër, nuk e kanë vënë në dyshim modelin industrial të Gjermanisë.

Merkel nuk ishte asnjëherë aq cinike sa Sunak, lista e të cilit me pesë pika javën e kaluar përbënte kryesisht premtime vetëpërmbushëse. Banka e Anglisë tashmë po parashikon se inflacioni do të bjerë ndjeshëm nga mesi i këtij viti. Rritja ekonomike, natyrisht, do të kthehet në një moment. A ka pasur ndonjëherë një recesion që nuk përfundon asnjëherë?

Problemi kryesor ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar që duhet të adresohet është rritja e ulët e produktivitetit. Produktiviteti stagnant ka shumë efekte negative: fitime më të ulëta për kompanitë, paga më të ulëta për punonjësit, më pak të ardhura nga taksat për qeverinë dhe më pak shpenzime për shërbimet publike. Instituti Kombëtar për Kërkime Ekonomike dhe Sociale e kontrastoi rritjen mesatare të produktivitetit të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar prej 2.3% në periudhën nga 1974 deri në 2008, me një normë rritjeje produktiviteti prej vetëm 0.5% midis 2008 dhe 2020.

Brexit nuk është shkaku i rënies së rritjes së produktivitetit në Mbretërinë e Bashkuar. Siç tregojnë të dhënat e cituara më sipër, rënia ndodhi rreth kohës së krizës financiare globale. Kjo është koha kur modeli ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar pushoi së rrjedhuri.

Një mënyrë për të shtuar rritjen e produktivitetit është nëpërmjet investimeve më të larta publike. Akti i reduktimit të inflacionit i quajtur disi mashtrues i Presidentit Joe Biden tregon se si mund të bëhet kjo. Projektligji i SHBA synon t’i tërheqë kompanitë e huaja me subvencione në sektorë kualifikues si energjia e pastër dhe farmaceutika me kosto të ulët. E çliruar nga vargjet e politikës evropiane të konkurrencës, Britania e Madhe mund t’u kishte ofruar prodhuesve evropianë stimuj të ngjashëm. Mund të kishte qenë edhe fillimi i një strategjie ekonomike pas Brexit.

Mund të financoni investime në infrastrukturë dhe subvencione përmes një instrumenti jashtë buxhetit. Investime të tilla, ndryshe nga reduktimet e taksave të Liz Truss, do të kishin një shans për ta rritur rritjen e produktivitetit. Edhe një rritje e vogël e produktivitetit do të kishte një efekt disproporcionalisht të madh në aftësinë e qeverisë për të marrë hua. Nuk është borxhi ai që është problemi. është ajo që bëni me të.

Fatkeqësisht, asnjë nga tre kryeministrat që nga Brexit nuk dukej i interesuar. Dëshira e Boris Johnson për ta bërë Brexit-in funksional asnjëherë nuk përputhej me dëshirën e tij për ta përfunduar Brexit-in. Truss e ngarkoi në mënyrë tragjike axhendën e saj me ulje taksash. Sunak nuk ka asnjë plan. Partia e Punës gjithashtu nuk është e fokusuar te produktiviteti. Ideja e madhe e Sir Keir Starmer është një kombinim i disiplinës fiskale dhe transferimit. Krejt kjo është e mirë, por jo përgjigje ndaj një krize investimesh dhe produktiviteti. Kur i nënshtroni ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar në gjendjen e saj aktuale ndaj transferimit, gjithçka që do të ndodhë është që shërbimet shtetërore të pafinancuara të bëhen shërbime lokale të nënfinancuara.

Shmangia e problemeve mund të funksionojë politikisht. Ajo funksionoi për Merkelin, e cila shërbeu katër mandate radhazi si kancelare e Gjermanisë. Por është një gabim logjik të mendosh se e kundërta është e vërtetë në përgjithësi. Dështimi për t’i zgjidhur problemet nuk jua fiton zgjedhjet, veçanërisht nëse ai dështim ju shpërfaqet në fytyrë ndërkohë që  jeni ende në detyrë.

Unë nuk mendoj se Sunak do të jetë aq me fat sa ishte Merkel. Kriza e produktivitetit në Mbretërinë e Bashkuar ka vazhduar për 15 vjet. Kombinimi i Brex-it dhe sulmeve serike ekonomike të kësaj dekade do të sugjeronte se koha më e mirë për ta trajtuar krizën e produktivitetit është pikërisht tani. Ajo që kemi mësuar nga fjalimet e Sunak dhe Sir Keir javën e kaluar, është se diçka e tillë nuk do të ndodhë. Siç shkruante dikur filozofi gjerman Georg ëilhelm Friedrich Hegel: “Ajo që mësojmë nga historia është se askush nuk mëson nga historia”./Eurointelligence

Përgatiti: Nuhi Shala