Skenderaj - kallxo.com

Një pacient nga Skenderaj shërohet nga COVID-19

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se nga 5 pacientë nga kjo komunë, një pacient është shëruar, një tjetër duke u shëruar, kurse 3 të tjerë janë mirë dhe pa simptoma, duke qëndruar të izoluar në shtëpi.

Jashari njoftoi se të gjitha testet e bëra për personat e dyshuar dhe personat kontakt fatmirësisht janë duke dalë negativ.

“Falënderime për secilin nga ju, mirënjohje për QKMF-në, IKSHP-në dhe gjithë ata që janë duke kontribuar pa rezervë në parandalimin apo trajtimin efikas të këtij virusi”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Komuna e Skenderajt më 11 prill ka shënuar dy rastet e para me COVID-19, në total 5 raste, katër prej tyre nga fshati Burojë, ndërsa për tjetrin u raportua se është punëtor në QKUK.

Në anën tjetër 26 raste të reja u konfirmuan sot në Kosovë, duke e dërguar numrin në total në 630 të të prekurve dhe 10 raste të reja të të shëruarve.

Rastet pozitive janë raste kontakti: 8 raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: 6 në Poliçkë dhe 2 në Hodonoc), 4 raste nga komuna e Istogut (sipas vendbanimit: 2 në Kërninë, 1 në Istog dhe 1 në Prekallë), 4 raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: 1 në Vitomiricë, 1 në Lutogllavë, 1 në Nabërgjan, dhe 1 në Pejë), 4 raste me vendbanim në Stubëll-Viti, 3 raste në Ferizaj dhe nga 1 rast në Prizren, Godanc i Epërm (Shtime) dhe Zveçan.