Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një pacient me COVID-19 në mjekim intensiv

Në raportin 24 orësh të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës bëhet e ditur se një pacient me coronavirus është duke u trajtuar në mjekim intensive në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përderisa tetë pacientë të tjerë janë me oksigjeno-terapi, përmes së cilës pacientit i lëhtësohet frymëmarrja.

Sipas raportit të klinikave, në Infektivë apo në klinikën për sëmundje ngjitëse në QKUK janë duke u trajtuar shtatë pacientë. Në spitalin e Prizrenit janë katër pacientë, ndërsa në spitalin e Gjakovës, Ferizajt dhe Pejës janë duke u trajtuar vetëm nga një pacient.

ShSKUK gjithashtu njofton se trajtim mjekësor janë duke pranuar 29 pacientë tjerë post-COVID. 24 prej tyre po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa pesë pacientë të tjerë po trajtohen në spitalet rajonale në vend.

Aktualisht në Kosovë janë 343 raste aktive me SARS-CoV-2.

Në raportin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve në nivel vendi kanë rezultuar pozitiv me coronavirus katër mostra nga 2 mijë e 32 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Në anën tjetër, dy ditë më parë në Kosovë janë shfaqur nëntë rastet e para të infektimit me variantin e ri “Omicron”.

Deri më tani SARS-CoV-2 ka prekur mbi 161 mijë qytetarë prej tyre mbi 2 mijë kanë vdekur.