Një pacient me COVID-19 në gjendje të rëndë, shtatë të tjerë në oksigjenoterapi

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se një pacient i infektuar me coronavirus është në gjendje të rëndë dhe se i njëjti po trajtohet në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare, si dhe shtatë pacientë të tjerë, po ashtu të infektuar me COVID-19, janë me oksigjenoterapi.

Sipas të dhënave të fundit 13 pacientë të konfirmuar pozitive me SARS-CoV-2 janë duke u trajtuar në klinika dhe spitalet rajonale.

“Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në trajtim spitalor janë 13 pacientë të konfirmuar me Covid-19 dhe 23 post-Covid”, thuhet në njoftim.

Pacientët post- COVID janë duke u mjekuar në Klinikën e Pulmologjisë dhe në spitalet rajonale.

Në Klinikën për sëmundje ngjitëse apo infektive janë duke u trajtuar pesë pacientë me coronavirus. Ndërsa sa i përketë spitaleve rajonale, spitali i Pejës ka të shtrirë pesë pacientë me SARS-CoV-2, tre pacientë janë në atë të Gjakovës si dhe dy pacientë janë në spitalin regjional të Ferizajt.

Aktualisht në nivel vendi janë 322 raste aktive me SARS-CoV-2.

Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë mësojmë se dje është regjistruar një rast i vdekjes me coronavirus si dhe tre raste pozitive.