
Një orë para mesnatës, votojnë pacientët në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK
Pacientët e shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) jane duke votuar edhe pse ora ka shënuar 23:05 minuta.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i kësaj Klinike, Musa Hoxha për KALLXO.com.
“Po janë duke votu. Edhe Policia është aty. Ekipet mobile janë vonu nëpër klinika tjera e iu ka mundësu me votu edhe tash”- tha ai për KALLXO.com.
Hoxha tha që në bazë të informatave që posedon, një gjë e tillë është mundësuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se kanë ekipet mobile kanë mbërri vonë.
“Saktësisht të dhënat nuk i kam por një informacion që e kam është që shumë vonë ekipet mobile kanë fillu me i mbledh votat, andaj nuk kanë arrit me i marr votat nga këta persona”- tha Radoniqi.
Vendvotimet në Kosovë janë mbyllur në orën 19:00.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.