Ilustrim, Foto: Pixabay

Një orë dore 86 euro, Komuna e Fushë Kosovës i shpërblen punëtorët që do të pensionohen

Komuna e Fushë Kosovës ka blerë 6 orë dore në vlerë 516 euro për punëtorët të cilët pensionohen. Një orë dore i ka kushtuar Komunës së Fushë Kosovës 86 euro.

Komuna ka kërkuar që orët të jenë klasike dhe multifunksionale, rezistente ndaj ujit, për përdorim të përditshëm. Po ashtu, ngjyrë argjend, të bardhë dhe të tjera, xhami të jetë keramik dhe i lyer me safir, madhësia 37mm – 49 mm, materiali çelik 100% dhe të kenë mekanizmin me bateri.

Kompania e cila e ka fituar kontratën është “A PLUS TECH SH.P.K” nga Obiliqi, e cila ka dalë fituese përballë një kompanie tjetër, me të cilën ishte në garë.

Oferta e kompanisë fituese nga Obiliqi ishte për 474 euro më e lirë se vlera prej 990 sa e kishte parashikuar Komuna e Fushë Kosovës për orët që do t’ua blinte punëtorëve të pensionuar.

Tenderi ishte iniciuar më 3 mars ndërsa kontrata me kompaninë fituese është nënshkruar më 25 mars.

Për këtë aktivitet të prokurimit është përdorur vlera minimale si procedurë ndërsa kriter për dhënie të kontratës ishte çmimi më i ulët.

Pagesa sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës do të bëhet nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.