Një oficer ushtarak rus qëllohet për vdekje teksa shpërndante ftesa për mobilizim ushtarak në Ukrainë

“Referendumet” e Rusisë në Ukrainë, të cilat mund të rezultojnë me aneksimin e 15% të territorit të vendit nga Moska, do të përfundojnë të martën. Votimi në provincat lindore të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia filloi të premten ndërkohë që vendet përendimore i kanë konsideruar si votime të rreme dhe janë zotuar të mos i njohin rezultatet.

Kremlini zyrtar ka deklaruar se nuk e ka marrë asnjë vendim për mbylljen e kufijve të Rusisë pasi mobilizimi i parë që nga Lufta e Dytë Botërore bëri që disa banorë rusë  të iknin nga Rusia.

Presioni i gazsjellësit Nord Stream 2 u shemb në mënyrë misterioze të hënën. Autoritetet në Gjermani po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi rënien e papritur të presionit në tubacionin e prishur, me një zëdhënës të operatorit të tij duke thënë se mund të ketë qenë një rrjedhje.

Një rus ka qëlluar liderin e komitetit lokal të ftesave ushtarake në një qytet siberian pasi i kishte thënë se do të refuzonte të luftonte në Ukrainë. Videoja shfaq personin e armatosur, me veshje kamuflazhi, duke qëlluar në drejtim të zyrtarit.

Radhë të gjata automjetesh u krijuan në pikën kufitare midis Rusisë dhe Mongolisë, ndërsa banorë të shumtë rusë vazhdojnë të largohen pas urdhrit të mobilizimit të lëshuar nga Kremlini. Udhëheqësi i një postblloku në qytetin Altanbulag tha se më shumë se 3,000 rusë kishin hyrë në Mongoli nëpërmjet kalimit që nga e mërkura.

Forcat ajrore të NATO-s po kryejnë stërvitje mbi Detin Baltik. Shtetet anëtare, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë, kanë marrë pjesë në trajnimin ushtarak, si mbi ujë ashtu edhe në tokë, në një përpjekje për ta rritur mbrojtjen lindore.

Holanda e ka rritur mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën. Kryeministri Mark Rutte njoftoi gjithashtu sanksione të reja në përgjigje të mobilizimit dhe referendumeve të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara u zotuan t’i japin Ukrainës 457.5 milionë dollarë ndihmë për sigurinë civile. Mbështetja ka si qëllim “shpëtimin e jetërave” dhe “forcimin” e zbatimit të ligjit ukrainas, tha sekretari i shtetit, Antony Blinken.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse thotë se ushtarëve rusë që vdesin në fushën e betejës do t’u shfajësohen mëkatet. Patriaku Kirill, një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin dhe një mbështetës i madh i pushtimit të Ukrainës, tha se “sakrifica pastron të gjitha mëkatet”.

Mbretëria e Bashkuar i bëri të ditura 92 sanksione të reja në përgjigje të “referendumeve të rreme” të Rusisë në Ukrainë. Paketa e ndëshkimeve synon ata që qëndrojnë pas votave të falsifikuara, si dhe oligarkët dhe anëtarët e bordit.

Gjermania po debaton nëse duhet t’u japë azil refuzuesve rusë të luftës. Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se vendi është potencialisht i përgatitur për t’i mbrojtur dezertorët që përballen me pasoja nëse refuzojnë të luftojnë, por secili rast do të vendoset në baza individuale mes shqetësimeve të sigurisë.

Mbikëqyrja e energjisë atomike e OKB-së thotë se është gati për bisedime rreth krijimit të një zone mbrojtëse rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia. Udhëheqësi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike u takua me ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në asamblenë e përgjithshme të OKB javën e kaluar për të diskutuar mundësinë.

SHBA-ja ka paralajmëruar për pasoja të tmerrshme nëse Rusia ndjek kërcënimet e saj të fshehta për përdorimin e armëve bërthamore. Antony Blinken tha se çdo përdorim i armëve do të kishte një ndikim “katastrofik” në të gjithë botën.

Negociatorët e një projektligji shpenzimesh në Kongresin e SHBA-së kanë rënë dakord të përfshijnë afro 12 miliardë dollarë në ndihmë të re ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, thanë burimet e Reuters të hënën. Financimi – i kërkuar nga administrata Biden – do të përfshijë 4.5 miliardë dollarë për aftësitë dhe pajisjet e mbrojtjes për Ukrainën dhe 4.5 miliardë dollarë në mbështetje të drejtpërdrejtë për qeverinë e Kievit.

Ukraina pretendon se disa rekrutë rusë nga mobilizimi masiv i Kremlinit po dërgohen drejtpërdrejt në vijën e frontit pa trajnim. Ata janë bërë pjesë e personelit të sapo ftuar në Krime, si dhe rekrutët në rajonin e Luhansk, të cilët kanë marrë ftesa në ditët e fundit.

Volodymyr Zelenskiy është zotuar ta çlirojë të gjithë Ukrainën ndërkohe që Rusia po vazhdon me referendumin e saj të supozuar në zonat e pushtuara të Ukrainës. Presidenti ukrainas ka deklaruar se forcat e armatosura të Ukrainës do t’i dëbojnë forcat ruse dhe do të hakmerren kundër “çdo sulmi të agresorit”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala