Një nga të plagosurit e grupit të armatosur dërgohet nga Spitali i Mitrovicës në QKUK

Njëri nga personat e plagosur, i cili dyshohet se i përket grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në mëngjesin e sotëm në Banjskë të Zveçanit, është nisur nga Spitali i Mitrovicës drejt Prishtinës në QKUK.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani janë vrarë tre persona nga grupi i armatosur që po qëndron në Zveçan, ndërsa një tjetër është i arrestuar.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.