Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi - Foto: KALLXO.com

Një muaj pas zgjedhjes, Talat Xhaferi e uron Glauk Konjufcën

Një muaj pasi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pranuar një urim nga homologu i tij shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi.

Konjufca është zgjedhur kryekuvendar me 26 dhjetor të  vitit të kaluar, përderisa pas asaj kohe ka pranuar urime prej homologëve të tij nga Çekia, Turqia dhe Sllovenia.

Ndërkaq, në urimin e Xhaferit për Konjufcën thuhet se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kultivojnë marrëdhënie bilaterale të mrekullueshme.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju drejtoj urime të sinqerta për zgjedhjen e Juaj për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dëshirë për kryerje të suksesshme të kësaj detyre me përgjegjësi”, thuhet në telegramin e urimit.

Kryeparlamentari i Maqedonisë se Veriut ka shtuar se beson edhe në mandatin e Konjufcës do të kenë bashkëpunimin e njëjtë.

Më poshtë e gjeni të plotë telegramin e urimit të Talat Xhaferit për Glauk Konjufcën:

I nderuar z. Konjufca,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju drejtoj urime të sinqerta për zgjedhjen e Juaj për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dëshirë për kryerje të suksesshme të kësaj detyre me përgjegjësi.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kultivojnë marrëdhënie bilaterale të mrekullueshme që karakterizohen me afërsi, përzemërsi dhe miqësi, si edhe me mbështetje të ndërsjellë pa rezervë dhe unë siqerisht besoj se edhe gjatë mandatit Tuaj do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrën e njëjtë të hapur dhe miqësore.

Veçanërisht do e kisha theksuar bashkëpunimin ndërmjet kuvendeve si më të drejtpërdrejtë dhe të afërt.

Më lejoni t’i përsëris zotimet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës në të gjitha nivelet dhe fushat me interes të përbashkët.

Koleg i nderuar, pranoni edhe njëherë shprehjet e respektimit tim të thellë.