Një muaj pas raportimit të KALLXO.com, Shpend Ahmeti rregullon shkallët në lagjen 'Dardania'

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka qenë kohëve të fundit shënjestër e kritikave për gjendjen infrastrukturore të kryeqytetit.

Gati se çdo ditë ka raportime për shkallët e dëmtuara, gropat e defekte të tjera në rrugë dhe në hapësirat publike.

Ahmeti kritikohej për dështimet e qeverisjes së tij në rregullimin e këtyre defekteve.

Pas këtyre kritikave, Komuna e Prishtinës ka intensifikuar punët, duke u përpjekur të sanojë të metat e shpërfaqura.

Në mesin e punëve që kanë nisur sot janë edhe rregullimi i shkallëve në lagjen “Dardania”, te pjesa që shpie për te Stacioni i Autobusëve.

“Shkallët që lidhin lagjen Dardania dhe Stacionin e Autobusëve shfrytëzohen shumë nga qytetarët dhe për shkak të dëmtimeve, kishin nevojë për riparim. Tashmë punimet për rregullimin e tyre kane filluar dhe pas përfundimit këmbësorët do të e kanë më të lehtë qarkullimin në këtë pjesë. Të tilla riparime të shkallëve e trotuareve të dëmtuara do të bëhen edhe në pjesë të tjera të qytetit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Pikërisht për këtë çështje kishte shkruar KALLXO.com pas ankesave të qytetarëve për rreziqet dhe vështirësitë me të cilat përballeshin gjatë frekuentimit të kësaj pjese të qytetit, sidomos të shkallëve të cilat ishin dëmtuar rëndë dhe për to nuk përkujdesej askush.

Qeverisja e Shpend Ahmetit lë pa mirëmbajtje zona të Prishtinës