Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Një muaj paraburgim të dyshuarit për rrahjen e një gruaje

Një muaj paraburgim të dyshuarit për rrahjen e një femre

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J. R.

J.R., po dyshohet se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

 Gjykata ka bërë të ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka caktuar masën e paraburgimit pasi ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 1 tetor 2021 në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje paraprake me një grua e ka goditur atë.

“I dyshuari J.R., me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor përdorë forcë ndaj të dëmtuarës, E. B., në atë mënyrë që përderisa e dëmtuara kishte qenë duke shkuar për në shtëpi, pa asnjë paralajmërim i pandehuri i del në rrugë ku fillimisht e fyen me fjalë më banale, e pastaj e godet me grushta dhe shkelma në fytyrë dhe në të gjitha pjesët e trupit, ku si pasoje e këtyre goditjeve e dëmtuara pëson lëndime trupore, për te cilat posedon raporte mjekësore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

 Gjykata gjithashtu ka bërë të ditur se ka shqyrtuar edhe masat e tjera alternative, mirëpo paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedures.