Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim të dyshuarit për falsifikim diplomash

Gjykata Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për falsifikim të diplomave.

Sipas njoftimit i pandehuri H.M., në periudhën kohore janar – mars të vitit 2021, në Malishevë, pikërisht në agjencinë e tij, ka përpiluar dokumente të falsifikuara, duke ndryshuar dokumentin origjinal.

Gjykata ka njoftuar se 23 diploma janë lëshuar në emër të personave të ndryshëm, banor të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës për të cilat është pretenduar që janë lëshuar nga një Shkollë e mesme e lartë profesionale në Prizren, dhe të gjitha këto diploma janë përdorur gjatë aplikimit për vizë pune në shtete të BE-së.

Kurse, personat e pajisur me këto dokumente false, sipas Gjykatës, kanë paguar 350 deri në 400 euro për një diplomë, mirëpo pas verifikimit në librat amë të shkollës profesionale në Prizren, është konstatuar se gjithë këto diploma nuk janë origjinale dhe s’janë lëshuara nga kjo shkollë.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, faktin që dyshohet se janë falsifikuar 23 diploma, si dhe me rastin e urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, në zyrat e agjencisë të të pandehurit janë gjetur edhe diploma tjera të dyshuara të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar për arrestimin e të dyshuarit për falsifikim të diplomave.

Sipas njoftimit, Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren, kishte pranuar një informacion se në periudhën janar-mars 2021, shumë qytetarë nga Republika e Kosovës kishin paraqitur kërkesa për viza pune në vende të ndryshme të BE-së, me diploma të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara.

Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit kanë filluar që të verifikojnë vlefshmërinë e këtyre diplomave, të cilat janë lëshuar nga një shkollë e mesme e lartë në Komunën e Prizrenit.

Arrestohet 60 vjeçari i dyshuari për shitjen e diplomave të falsifikuara – FOTO