Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim për të dyshuarin të cilit iu gjet kokaina në pikë kufitare

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për një të pandehur tek i cili u gjetën substanca narkotike.

Sipas njoftimit, i pandehuri D. G., mbrëmë pas mesnate në pikën kufitare në Vërmicë është ndaluar nga policia.

Gjykata ka njoftuar se tek i njëjti është gjetur narkotik i dyshuar si kokainë, të cilën i pandehuri e transportonte me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Substancat narkotike janë gjetur gjatë kalimit të të pandehurit nga Shqipëria në Kosovë, me veturën e tij.

“Gjatë kalimit nga Shqipëria për në Kosovë me automjet, pas ndalimit në pikën kufitare të Vërmicës dhe kontrollimit të detajuar nga zyrtar të policisë  është gjetur në gjepin e majtë të pantallonave të të pandehurit një qese najloni brenda të cilës kanë qenë dhjetë qese të ndara me substancë të dyshuar narkotik të llojit kokainë me peshë 6.22 gramë, si dhe një qese najloni brenda së cilës kanë qenë dhjetë qese të ndara të dyshuar si narkotik të llojit kokainë me peshë 4.21 gramë”, thuhet në njoftim.

Gjykata në Prizren ka njoftuar se gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se procedura penale është në fazën fillestare të hetimeve në këtë çështje do të ndërmerren veprime të tjera hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.

Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri është i regjistruar edhe si kryes e veprave të tjera penale, dhe në këto rrethana ekziston rreziku se nëse i pandehuri lihet në liri do të përsërisë ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre.