Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për terrorizëm, të cilit në banesë iu gjetën armë anti-tank “Zola” e drogë

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Burim Dibranit, i cili po dyshohet për terrorizëm, pasi në banesën e tij Policia gjeti armatim luftarak, tri armë anti-tank “Zola”, municione dhe drogë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Policia i ra në gjurmë këtij të dyshuari për terrorizëm pasi i njëjti ishte raportuar për dhunë në familje.

KALLXO.com ka raportuar më 09.01.2025 se një person i dyshuar për përgatitjen e veprave terroriste dhe veprave të tjera penale kundër rendit kushtetues është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë rreth orës 21:00.

Ndërsa sot, më 10.01.2025, KALLXO.com ka raportuar se ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit si masë të sigurisë.

Dibrani u ndalua më 09.01.2025 pasi në banesën në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë gjatë kontrollit policor i janë gjetur tri “Zola” dhe lëndë narkotike.

Sipas Prokurorisë Speciale, nga koha e pavërtetuar e deri më 08.01.2025, i pandehuri ka përgatitur veprime terroriste në atë mënyrë që paraprakisht ka siguruar tri armë të rënda, armë këto të parapara për akte terroriste.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale – përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

I njëjti dyshohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka blerë dhe shitur substanca narkotike.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit më 08.01.2025 në banesë dhe objektet përcjellëse gjatë kontrollit policor i janë gjetur dhe sekuestruar 269.3 gramë narkotikë që dyshohet të jetë marihuanë.

Me këtë, sipas PSRK-së, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale – shitblerja e narkotikëve.

Dyshimi i bazuar për këto vepra penale, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale në të cilën pati qasje KALLXO.com, vërtetohet nga provat të cilat janë gjetur në banesën e të dyshuarit Burim Dibrani.

Lidhur me pretendimin e prokurorisë se i dyshuari ka kryer veprën penale të përgatitjes për terrorizëm, Gjykata ka konstatuar se prokuroria nuk ka arritur të argumentoj dyshimin e bazuar mirë se i dyshuari të ketë kryer këtë vepër.

Sipas Gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur të paraqes asnjë provë për këtë vepër penale për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë që është kryer kjo vepër penale.

Paraburgimi të njëjtit i është caktuar për veprën penale narkotik dhe armëmbajtje pa leje.

Si i ra në gjurmë Policia Burim Dibranit, i dyshuar për terrorizëm?

KALLXO.com kishte mësuar nga burimet e saj se stacioni policor Qendra në Prishtinë fillimisht kishte pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje.

Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Bregun e Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë, ndërsa ekipi reagues i Policisë kishte kërkuar të hyjë brenda në banesë për të vërtetuar informatën.

Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike, të dyshuar marihuanë, e vendosur në një tavolinë.

Më pas kanë kryer edhe një kontrolle sipërfaqësore, gjatë të cilës kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit “Zola”. Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-Terrorit për të trajtuar rastin.

Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Burim Dibrani, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet për vepra terroriste.