FOTO: KALLXO.com
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosjen me thikë të 4 personave në Ferizaj
Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I., i dyshuar për kryerje të veprës penale – vrasja e rëndë në tentativë.
Organet e drejtësisë kanë bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se më 11.11.2024 sulmi nga i dyshuari u krye me dashje për shkak të përkatësisë etnike të viktimave, të cilët janë pjesëtarë të komunitetit ashkali.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më datë 11.11.2024 në rrugën “Rifat Berisha” në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar t’i privojë nga jeta fëmijët të moshës 10-vjeçare dhe 14-vjeçare, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuarat kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar afrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave.
Siç thuhet në njoftim, i pandehuri ka përdorur një thikë kuzhine me gjatësi 32 centimetra dhe gjatësi të tehut prej 19 centimetra për të kryer sulmin ndaj të dëmtuarve.
Gjykata tutje shtoi se po atë ditë, më 11.11.2024, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, i pandehuri prapë me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.Sh., në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në një kafiteri, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë.
Në njoftim është theksuar se i pandehuri më pas vazhdon në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, ku me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin E.A., në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur këmbë, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave.
Gjykata njoftoi se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjithashtu u tha se palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.