Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dy vepra penale

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj personit me inicialet L.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, “vjedhje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas komunikatës për media, L.K dyshohet se më 10 janar 2020 pas mesnate në Prizren, në një biznes të pajisjeve teknologjike, në bashkëveprim edhe me dy persona të tjerë, deri më tani të paidentifikuar – të gjithë të maskuar, depërtojnë me forcë, thyejnë xhamin në afërsi të derës hyrëse, futen brenda nga ku arrijnë të marrin 1 monitor të kompjuterit, 9 telefonë ‘demo’ dhe 3 tabletë. Më pas me shpejtësi me veturë largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, me ç’ rast të dëmtuarit – personit juridik i shkaktojnë dëm material në shumën prej 7.200 eurove.

Në po të njëjtën ditë dhe vend, i njëjti person në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrit, një pistoletë të tipit TT, një karikator brenda saj dhe 8 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, e cila armë, të pandehurit aksidentalisht i ka rënë nga brezi duke u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës penale.

Gjykata, konsideron se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, meqenëse i pandehuri L.K., deri në momentin e ndalimit ishte duke qëndruar jashtë Kosovës, gjithashtu duke pasur parasysh se i pandehuri ka vepruar në bashkëkryerje edhe me persona tjerë si dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit i cili nuk është për herë të parë para organeve të ndjekjes, ka marrë këtë vendim.

Më tej thuhet se, duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata gjeti se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit L.K., në procedurën penale, dhe parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre.

Sipas komunikatës për media, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, duke iu llogaritur masa prej datës 16.02.2021 deri me datën 17.03.2021.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.