
Një muaj paraburgim për të dyshuarën për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë sot me 02.03.2025 ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të dyshuares J.GJ, për veprën penale “Spiunazh”.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila tha se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e kësaj mase.
Siç tha ajo, Gjykata ka vlerësuar si masë adekuate dhe të domosdoshme sepse nëse e pandehura lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale.
Githashtu sipas zëdhënëses Gashi, Gjykata poashtu vlerësoi se nëse e pandehura lihet në liri, mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”- tha Gashi.
Ajo shtoi se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
KALLXO.com raportoi më 28.02.2025 se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një grua për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi.
https://kallxo.com/lajm/mitrovice-arrestohet-nje-grua-nen-dyshimin-per-spiunazh/