Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Një muaj paraburgim për shtetasin nga Serbia, dyshohet për përgatitjen e një vrasje

Gjykata Themelore në Prishtinë, në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda ia ka aprovuar kërkesën Prokurorisë në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.B., në kohëzgjatje prej një muaji.

I pandehuri, R.B. është shtetas i Serbisë dhe u arrestua nga Policia e Kosovës më 06.12.2024 në Fushë Kosovë nën dyshimin se ka kryer tri vepra të ndryshme penale.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i arrestuari dyshohet për: “përgatitje të veprës penale ‘vrasje’”, “prezantim të rremë si person zyrtar” dhe “mashtrim”. E këto vepra penale dyshohet se kanë filluar që nga data 03.04.2024, sipas Policisë.

“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit është, pasi nëse i pandehuri R.B. lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh se është shtetas i Serbisë si dhe rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose të kryej sërish vepra tjera penale” – thuhet në njoftimin e Gjykatës, më 07.12.2024.

Policia njoftoi po ashtu se, lidhur me rastin gjatë kontrollit në banesën e R.B., si prova materiale janë sekuestruar dokumente të ndryshme.