Foto-ilustrim

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe djegie të veturave në Zubin Potok

Më 1 prill të këtij viti, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një person të dyshuar në Mitrovicë të veriut.

I arrestuari dyshohet për kryerje të disa veprave penale, përfshirë këtu sulm ndaj zyrtarëve policorë e edhe djegie të veturave.

Madje, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se i dyshuari Millovan Bozoviq, 36-vjeçar, ka qenë pjesë aktive e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’ dhe se ai dyshohet edhe për vrasjen e një pjesëtari të EULEX-it.

Ndaj tij sot Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

I pandehuri po dyshohet për këto vepra penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, vrasja në tentativë; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm;  sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare,  si dhe zjarrvënie.

Në njoftim të Gjykatës është thënë se paraburgimi i Bozoviq do të llogaritet prej kohës së ndalimit, pra 1 prill 2023 deri me datë 1 maj 2023.

Gjykata ka shtuar se kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në ditën e parë të këtij muaji, Policia në një njoftim për media kishte thënë se i arrestuari dyshohet të jetë i përfshirë në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj Policisë, ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Ai po ashtu sipas Policisë është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës.

Për arrestimin e Bozoviqit kanë reaguar Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, ky arrestim u cilësua si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb”, duke shtuar se ai “akuzohet për krime të rënda pa asnjë provë”.

Madje, LS deklaroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

“Për ta sqaruar, kjo nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm” – u tha në deklaratë e Listës Serbe.

Kjo parti në reagimin e tyre nuk e dënoi djegien e veturave në veri, e për këtë çështje nuk pati reagime as nga Beogradi zyrtar.

Lidhur me këtë arrestim, nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u akuzua kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin thanë se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.

“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë të mundshme, përmes forcave të tij, të shkaktojë tensione në veri të Kosovës, për të nxitur reagimin e serbëve, të cilët më pas do t’i akuzonte për përshkallëzimin potencial të situatës në terren” – thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën.

Sipas kësaj të fundit, këto veprime të cilat u pretendua se po bëhen nga Kurti, janë duke u bërë vetëm për t’i ikur dialogut dhe obligimeve nga Ohri sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas reagimit të Listës Serbe një ditë më vonë erdhi edhe një reagim nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sipas ministrit, institucionet e Serbisë dhe krerët e tyre janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë. Sipas tij,  institucionet e Serbisë dhe krerët e tyre vazhdojnë të mbrojnë dhe glorifikojnë kriminelët të cilët kryejnë akte edhe terroriste në Republikën e Kosovës.

Arrestohet i dyshuari për sulm ndaj Policisë dhe djegie të veturave në Zubin Potok