Foto: Kallxo.com

Një muaj paraburgim për policin që dyshohet se u përfshi në mashtrim e organizim të lojërave të fatit

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve zyrtarit policor të dyshuarit B.R., pas kërkesës së Prokurorisë, pasi i njëjti ishte arrestuar tre ditë më parë nën dyshimin se ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe organizimit të lojërave të fatit.

Në njoftimin e Gjykatës në Gjilan, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete ose për tjetrin, i ka shkaktuar dëm ekonomisë së vendit, duke cenuar sigurinë juridike.

“Pasi nuk ka përfillur një ligj të autoritetit vendor dhe pa të drejtë ka organizuar, mundësuar apo ndihmuar veprimtarinë e kundërligjshme, aq më tepër kur kemi parasysh se i njëjti është zyrtar policor dhe është i vetëdijshëm se çdo lloj organizimi i lojërave të fatit është i kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Më këto veprime, sipas Gjykatës, zyrtari policor B.R., dyshohet se ka kryer veprat penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “mashtrimi” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se po që i njëjti gjendet në liri do të fsheh, asgjësoj apo ndikoj në dëshmitarët”, thuhet në fund të njoftimit.

Orët e pasdites së të shtunës një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor në Gjilan) është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale mashtrim dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Arrestimi i tij është bërë nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Përpelnicë komuna e Gjilanit, nga ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një telefon, dy kartela të telefonit, një tablet, një kompjuter dhe një USB.

Polici i dyshuar për bixhoz ilegal del para gjykatës – FOTO