Një muaj paraburgim për personin që dyshohet për sulm seksual

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndaj S. D.  nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit S. D. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i  ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit S. D. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1. dhe 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3 të KPP-së”, thuhet në njoftim.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.