Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për kontrabandë me migrantë

Dy të dyshuarve F.R., dhe Sh.B., Gjykata në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Të dyshuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kontrabandimi me migrantë, njofton Gjykata e Prizrenit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, më datë 20 shtator, në orët e mesditës në autostradën “Ibrahim Rugova” – aksin rrugor Vërmicë – Prizren derisa policia kufitare ishte duke patrulluar, vërejnë veturën e parë të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri F.R., në të cilën ishin 5 shtetas sirianë, kurse në veturën e dytë të drejtuar nga Sh.B., kanë qenë 4 shtetas sirianë.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se 4 shtetasit sirianë me të vërejtur Policinë kanë dalë nga vetura e të pandehurit Sh.B., dhe janë larguar nga i vendi i ngjarjes, me ç ’rast të pandehurit janë ndaluar nga Policia së bashku me 5 shtetasit e tjerë sirianë, të cilët u janë nënshtruar procedurave të rregullta nga autoritetet kompetente të emigracionit.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se duke marrë parasysh peshën e rëndë dhe rrezikshmërinë e madhe shoqërore nga vepra penale e dyshuar kontrabandim me migrantë, i cili aktivitet është në rritje në vendin tonë, e bëjnë të arsyeshme dhe të domosdoshme që ndaj të pandehurve të lartcekur të caktohet masa e paraburgimit.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.