Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim për djalin e policit që iu gjet arsenali i armëve në shtëpi

Gjykata në Gjilan ka vendosur që djali i zyrtarit policor nga Vitia, A.I., të dërgohet në paraburgim për 30 ditë.

KALLXO.com mëson se ky vendim u mor pas seancës për masën e sigurisë ndaj A.I., në lidhje me veprat penale armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Dy kallashnikovë, katër armë të vogla e rreth 500 fishekë janë gjetur në shtëpinë e djalit të policit me inicialet E.I., nga Vitia.

KALLXO.com ka raportuar se në afërsi të shtëpisë së policit janë gjetur edhe disa gëzhoja ndërsa arma e policit është konfiskuar bashkë me armët e tjera që janë gjetur në shtëpinë e djalit të policit.

Ende nuk është bërë e qartë se gëzhojat nga cila armë janë shkrepur ndërsa armët do të dërgohen në ekzaminim.

Zyrtari policor E.I., ishte suspenduar me rekomandim të IPK ndërsa gjatë ditës së djeshme është arrestuar dhe dërguar në mbajtje djali i policit të cilit iu gjetën armët në shtëpi ndërsa i njëjti nuk kishte qenë në Kosovë kur u krye bastisja.

Siç ka mësuar KALLXO.com i gjithë rasti nisi kur policia kishte pranuar një informacion se në një shtëpi të dyshuar mbaheshin armë ndërsa për të verifikuar këtë fakt, u mor për bazë edhe një fotografi e publikuar nga djali i policit i cili shihej me kallashnikovë në dorë.

Polici i Kosovës ishte suspenduar nga detyra pasi që ishte gjetur armatimi.

Dërgohet në ndalim djali i policit të cilit iu gjet arsenali i armëve në shtëpi