Një muaj paraburgim për burrin nga Podujeva që dyshohet se ngacmoi seksualisht një djal të mitur

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit D.B. pasi dyshohet se i njëjti ka ngacmuar seksualisht një të mitur.

Gjykata kur ka caktuar masën e paraburgimit ka vlerësuar se i dyshuari ka kryer vepër të rëndë dhe ka mundësi të ikjes.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – i mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi të gjykatës në Gjykatën e Apelit.