Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunim në një motel në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit H.H., në dyshimin se ka kryer veprën penale të dhunimit.

Sipas njoftimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se me 12 gusht 2024 në një motel Ferizaj, i dyshuari H.H. kishte detyruar të dëmtuarën M.B. të kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, dhe duke i kërkuar që edhe në të ardhme të takohet, në të kundërtën se do t’i publikojë fotografitë nudo që i kishte në telefon.

Viktima, sipas njoftimit, nuk ka pranuar dhe e ka paraqitur rastin në polici më datë 19.08.2024.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Sipas njoftimit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.