Prapa grilave - Ilustrim

Dosja e Prokurorisë - Polici nga Gjilani dyshohet se u ka shitur kokainë e armë një grupi të dyshuar për vjedhje

Gjykata e Gjilanit ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj dy të pandehurve, A. H., zyrtar policor dhe L. H.

Sipas njoftimit të gjykatës dy të pandehurit me marrëveshje ia kanë shitur armë dhe kokainë të pandehurit F. S.

Tutje është thënë se ky i fundit së bashku me të pandehurit e tjerë, që gjenden në arrati, kanë qenë të fshehur në një motel.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje në bashkëkryerje, kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të llojit “kokainë”, të njëjtit me marrëveshje paraprake në mes veti substancën narkotike i’a kanë shitur të pandehurit F. S., i cili ishte fshehur në një motel së bashku me të pandehurit e tjerë, të cilët gjenden në arrati. Po ashtu, të pandehurit A. H. (zyrtar policor) dhe L. H. me dashje në bashkëkryerje në kundërshtim me ligjin për armët kanë shitur një armë zjarri të pandehurit F. S.”, ka thënë Gjykata.

KALLXO.com para disa dite ka raportuar për këtë rast.

Edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kishte lëshuar një komunikatë për media për arrestimin e zyrtarit policor.

Në njoftimin e IPK-së thuhej edhe se hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i Policisë, respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në këtë rast kishin aplikuar metoda dhe teknika të hetimit  në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike.