Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri

Gjykata e Pejës më 28.10.2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për rastin e sulmit ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Elzana Kastrati, zëdhënëse e Gjykatës së Pejës.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se dy të pandehurit dyshohen për veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar dhe – lëndim i lehtë trupor.

“Është aprovuar kërkesa e Prokurorisë nga Gjykata, me ç‘rast është caktuar masa e paraburgimit për dy të dyshuarit për sulm ndaj kryetarit, për veprat penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’”- ka thënë ai.

Pas seancës dëgjimore të mbajtur më 27.10.2024, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka thënë se në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit si bazë është përmendur ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në Kodin e Procedurës Penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar. Dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe”- tha ajo.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar mëngjesin e datës 26.10.2024 në rrugën “Bill Klinton” në qytetin e Pejës.

Avokati i të parit të Pejës, Dukagjin Kerveshi, ka thënë që Muhaxheri është sulmuar nga dy persona derisa ishte duke u larguar nga një lokal në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi kishte pirë kafe me një familjar të tij. Kerveshi e ka përshkruar sulmin si të befasishëm.

Më 27.10.2024, Policia tha se ende nuk dihen motivet.

“Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, pak orë pas sulmit.

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj kryetarit të Pejës