Një mini-Rusi po krijohet në Serbi teksa mijëra rusë po ikin prej luftës
Në një mëngjes të nxehtë vere në kryeqytetin serb, Beograd, Vadim Morus, patinator profesionist akulli nga Rusia, rrëshqet nëpër një platformë sheshi. Morusi ndodhet nja 1.600 kilometra larg prej vendlindjes së tij, Moskës, por ka nisur të ndihet si në shtëpi të veten.
Ai është larguar bashkë me të fejuarën më 2022, si pjesë e dhjetëra mija personave që kanë shkuar në Serbi pas agresionit rus të Ukrainës. Është një copë e madhe rruge, por shumë prej tyre kanë zgjedhur Beogradin për shkak të lidhjeve të vjetra kulturore dhe fetare me Moskën.
“Ka pak patinatorë akulli në Serbi, të cilët do të mund t’i ushtronin të tjerët, andaj kam goxha shumë nxënës serbë”, thekson Morusi 24 vjeç për Reuters.
Mijëra biznese ruse
Prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurtin e vitit 2022, rusët që po largohen prej konfliktit, rekrutimit ose politikave të presidentit Vladimir Putin, kanë krijuar një komunitet të gjallë në Serbi, mësohet prej intervistave të zhvilluara me një numër të theksuar emigrantësh dhe zyrtarësh vendas.
Përderisa numri aktual i rusëve në Serbi është më i vogël krahasuar me ata që janë larguar drejt vendeve tjera, si Gjermania, prania ndihet goxha shumë në Beograd, një qytet me më pak se dy milionë banorë.
Klubet e natës, kopshtet dhe ordinancat mjekësore ruse po shihen gjithandej. Rusët blejnë ushqim në dyqanet ruse, përderisa bende, këngëtarë dhe komedianë rusë po përformojnë në klube ruse, dhe artistët rusë po ekspozojnë veprat e tyre në galeritë e pronarëve rusë.
Ndërmjet shkurtit 2022 dhe mesit të vitit 2023, më shumë se 30 mijë rusë u regjistruan me banim të përkohshëm në Serbi, tregojnë të dhënat e fundit të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme. Zyrtarët nuk kanë ofruar të dhëna krahasuar për numrin e tyre para dhe pas kësaj periudhe, por kanë thënë se numri ka shënuar ngritje të theksuar.
Gjatë fluksit, rusët ia kanë dalë të hapin 11.081 biznese në të gjithë sektorët, prej shërbimeve me bazë interneti deri te restorantet e shkollat sportive, bëhet e ditur nga të dhënat e bizneseve të regjistruara në Serbi.
Myshterinjtë rusë
Viktori 42 vjeç është një veterinar nga Shën Petërburgu, por që i kishte ikur mobilizimit ushtarak në vjeshtën e vitit 2022. Pa kualifikimet e nevojshme për ta ushtruar profesionin e vet në Serbi punon çka t’i ngjitet për dore, duke u ofruar shërbime të ndryshme shtëpiake rusëve.
“Merrem me riparime ujësjellësish, instalimesh elektrike, dritare, madje edhe prodhoj orendi. Në të vërtetë nuk më duhen myshterinj serbë”, ka thënë Viktori, i cili ka kërkuar të mos i publikohet edhe mbiemri nga frika për sigurinë e familjes në Rusi.
Raportet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë datojnë për shekuj me radhë dhe vazhdojnë të mbeten miqësore edhe sot, megjithëse Serbia po mundohet gjithashtu të anëtarësohet në Bashkimin Europian, që e dënon pushtimin rus të Ukrainës.
Pas Luftës së Parë Botërore, mijëra të ashtuquajtur rusë të bardhë u arratisën nga komunistët gjatë luftës civile në Mbretërinë e porsaformuar Serbo-Kroato-Sllovene.
Sot e kësaj dite, shumë prej tyre kanë telashe për t’u integruar dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur të krijojnë njëfarë mini-Rusie brenda Serbisë. Ironikisht, shumë serbë përkrahin Putinin dhe nuk kanë ndajnë pikëpamje të ngjashme me të atyre që u larguan prej tij.
“Thirrja e kulturës ruse është shumë e fuqishme për emigrantët rusë në brezin e parë sa t’i lejojë së paku të përshtaten në shoqërinë ku e kanë gjetur veten, pavarësisht a është serbe a perëndimore”, thekson ligjëruesi i shkencave politike në Beograd, Aleksandar Gjokiq.
Morus, patinatori i akullit, heziton t’i shtjellojë arsyet e ikjes nga Rusia, por e fejuara e tij, Alexandra Mashkanova e thotë troç.
“U larguam për arsye ideologjike. Disa ditë pas 24 shkurtit, ne po mundoheshim të kuptonim çfarë po ndodhte, dhe pastaj ndamë mendjen t’ia mbathnim”, thekson ajo.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com