Foto: Ilustrim

Një mijë raste të reja me Covid-19 në Zvicër

Më shumë se 10,700 njerëz kanë rezultuar pozitiv në Zvicër me COVID-19, njoftoi këtë të enjte Zyra Federale e Shëndetit Publik, transmeton gazeta 20 minutes.

Epidemia Covid-19 vazhdon përparimin e saj të qëndrueshëm në Zvicër. Një mijë raste të reja krahasuar me një ditë më parë u njoftuan të enjten nga Zyra Federale e Shëndetit Publik, duke sjellë në total 10,714 raste të konfirmuara. Numri i të vdekurve ka arritur në 161.

“Aktualisht, 10.714 raste janë testuar pozitiv, që është 1002 më shumë sesa dje. Deri më tani, janë realizuar 91,400 teste, nga të cilat 14% ishin pozitive, “saktëson më tej Zyra Federale e Shëndetit Publik në Zvicër, e cila bazohet në deklaratat e marra nga laboratorët dhe mjekët.

Mosha e rasteve të konfirmuara nga laboratori varion nga 0 në 102 vjet, me moshë mesatare 52 vjeç (50% e rasteve janë më të rinj dhe 50% janë më të vjetër se kjo moshë). Sa i përket shpërndarjes sipas gjinisë, 49% e rasteve janë burra, ndërsa 51% janë gra.

Kantonet e Ticino (392.8 raste për 100,000 banorë), Vaud (294.2) dhe Bazel (292.1) mbeten më të prekurit nga epidemia.