Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një mbledhje në muaj e anëtarëve të bordit të AKP-së buxhetit të Kosovës i kushtonte rreth 27 mijë euro

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po diskutohet për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe synimin e Qeverisë Kurti për ta mbyllur atë.

Në emision doli në pah se një mbledhje e bordit të AKP-së buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 27 mijë euro.

Avni Ajdini, përfaqësues i punëtorëve në bordin e AKP-së dhe kryetar i BSPK-së, tregoi se paga e tij është 2 mijë e 500 euro në muaj.

“Për mendimin tim s’është e vërtetë, nuk e di. Unë në muaj i marr 2,500 euro dhe s’marr ekstra, një mbledhje në muaj dhe 8 anëtarë jemi”, tha Ajdini.

Por, drejtori i AKP-së, Valon Tolaj, mohoi një shifër të tillë.

“Unë s’jam avokat i bordit, por jam avokat i të vërtetës, por kur shiten shfirat në publik duhet të jenë të sakta. Shpenzimet në AKP janë të trashëguara që nga kohët e hershme”, tha Tolaj në debat.

Ndërsa, Ekrem Hajdari, ish-drejtor i AKP-së tha se në mandatin e tij ka pasur një ngritje të pagave.

“Në kohëm time është bërë një ngritje, pak para se me marrë mandatin unë. Nuk e di saktësisht veç e di që ka qenë një ngritje e konsiderueshme dhe disa anëtarë atë kohë kanë qenë kundër dhe anomalia ka qenë që bordi po ia rrit vetes”, shtoi Hajdari.

Kurse, deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se paga e bordit të AKP është saktë 26 mijë e 800 euro.

“Sa i përket shifrës për pagën, është 26 mijë e 800 euro sepse kjo e shifër është e saktë dërguar në Kuvend dhe i është dërguar Ministrisë së Financave dhe duhet të kuptojmë saktë këtë”, tha Muja më tej.

Deputeti Muja po ashtu e pyeti drejtorin e AKP-së se sa e ka pagën ai, porse ai nuk pranoi të japë përgjigje.

“Paga ime është publike në Anti-Korrupsion edhe është shumë pyetje provokuese dhe është e ulët dhe je duke e abuzuar debatin”, tha drejtori i AKP.