Gjakova

Një lagje dhe disa rrugë të Gjakovës shpallen vatra të përhapjes së COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që lagjja “Dardania” si dhe rrugët “Martire Dinaj”, “Mbretëresha Teutë” dhe “Dëshmorët e Lirisë” në Gjakovë të shpallen vatra të përhapjes së infeksionit, si masë parandaluese e përhapjes së pandemisë së coronavirusi.

“Ky vendim do të thotë mbikëqyrje të rreptë të këtyre zonave deri në shuarjen e vatrave të infeksionit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Në vendimin e Ministrisë thuhet se personat e diagnostikuar me coronavirus dhe kontaktet e tyre janë rekomanduar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për vetizolim.

“Rekomandohet Policia e Kosovës për mbikëqyrje të shtuar të këtyre vendbanimeve”, vazhdon vendimi.

Ky vendim obligon të gjithë qytetarët të respektojnë masat sipas udhëzimeve IKSHP-së.

Sipas të dhënave të IKSHP-së, që nga 13 marsi, kur është regjistruar personi i parë me coronavirus në Kosovë, e deri më sot, janë 561 të infektuar, 102 të shëruar dhe 12 të vdekur nga coronavirusi.