Një jetë në ushtri - VIDEO

Të dy mbajnë veshur uniformën e ngjashme.

Eroina Krasniqi, 22 vjeçare filloi rrugëtimin e saj në ushtri këtë vit. Por, aq vite sa ka ajo jetë, Naim Loshi ka përvojë ushtarake në Kosovë.

 

Dy ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë rrëfyer për KALLXO.com eksperiencën e uniformës, njëra në ushtrinë e konsoliduar e tjetri nëpër formacione të ndryshme ushtarake nëpër histori.

22 vjeçarja nga Klina iu bashkua FSK-së, një vit pasi filloi transformimi i saj në ushtri.

Zgjedhjen për uniformën, Krasniqi thotë që nuk e ka pasur të vështirë.

“Duke filluar prej babait tim dhe vëllait tim në luftën e lavdishme të UÇK-së, besoj që nuk e kam pasur të vështire që ta gjejë motivimin për të shërbyer në Ushtrinë e Kosovës, po ashtu është dashuria për atdheun që më bënë që çdo ditë të kontribuoj me dinjitet, pra të gjitha këto sfida që i përjetojmë i kemi pranuar në momentin që jemi rreshtuar përkrah ushtrisë sonë”

Detyra, nderi, integriteti, besnikëria, guximi personal, respekti, shërbimi vetëmohues janë shtatë vlerat ushtarake për të cilat Eroina dhe ushtarët e tjerë sfidohen çdo ditë.

“Çdo ditë e më shumë ne kemi sfida të ndryshme si ato fizike dhe psikike pasi që fizikisht duhet të jesh i aftë në çdo kohë për tu përballur me detyrat e reja që ti jep FSK-ja si dhe psiçikisht duhet të jesh i aftë që të kesh disipline, të kesh njohuri të rregullave ligjore pasi që kjo është një detyrë me shumë përgjegjësi”

Ndryshe nga Eroina, nënoficeri Naim Loshi uniformën e kishte veshur para 22 viteve. Eksperienca e tij si ushtar e përcolli në kohë lufte dhe paqe.

“Si pjesë e uniformes jam qe 22 vite, në vitet 98-99 si pjesë e UÇK-së  secili qytetar po ashtu edhe unë ju kam bashkëngjit në mënyrë vullnetare. Mirëpo duke kalu periudhat dhe etapat që kam pasur gjatë atyre dy viteve e kam kuptuar që është një veprim shumë i shenjët për të dhënë kontributin për vendin dhe të gjitha ato sfida që na kanë pritur dhe që i kemi përjetuar gjatë viteve 98-99 më kanë shtyrë që të mos zmbrapsem me vazhdu përpara me qenë pjesë e uniformës.

Për Loshin, shërbimi në UÇK, TMK pastaj edhe në FSK kanë qenë tri etapa të veçanta nga njëra tjetra.

“Të tri etapat, dallojë, ajo pjesa e luftës ka qenë e dhimbshme sepse kemi pasur shokë dhe familjarë që kemi humbur edhe ka qenë pjesë që e kanë pas fatin të gjithë ata me i dalë vendit të tyre zot, pra ka qenë koha dhe momenti. Kurse pjesa e TMK-së ka qenë pjesë që është bërë një konsolidim të të gjithë territorin e Kosovës duke na ndarë në zonat mbrojtëse, kryesisht në përgatitjen e komplet TMK-së në menaxhimin e emergjencave në rast të krizave.

Nënoficeri për trajnime në FSK, tregon me shumë krenari sukseset të cilat janë duke i korrur ushtarët e FSK-së në botë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë është duke u konsoliduar dhe është duke u bërë një forcë shumë e përgatitur dhe shumë profesionale, e cila lë me kuptu që në shumë trajnime dhe shumë gara jemi duke marrë medalje të arta, të argjendta apo të bronzta. Në çdo shtet që shkojmë është e pamundur mos me marrë medalje, vlen të ceket që në Angli në ‘Cambrian patrol’ kemi marrë medaljen e argjende në Angli, po ashtu marrim pjesë edhe në ushtrimet fushore si në Shqipëri dhe Kroaci”

Loshi inkurajon të gjithë bashkëmoshataret e Eroinës që e duan uniformën t’i bashkohen FSK-së.

“Të gjithë ata që e duan uniformën, të gjithë ata që e ndjenjë vetën që duhet t’i dalin zot vendit të tyre, atëherë është një vend dhe janë disa dyer shumë të shenjët që munden me ardh në ushtrinë e Kosovës”