Foto nga vendi i ngjarjes
Një i vrarë dhe pesë të plagosur - Kryeprokurori i Prishtinës jep detaje të reja për KALLXO
02.9.2024 – 02:36
Kryeprokurori i Prishtinës jep detaje për ngjarjen në lagjen Aktash
Detaje të para janë zbardhur të cilat dyshohet se i paraprinë plagosjes që ndodhi në mbrëmjen e 1 shtatorit 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi në një bisedë me KALLXO.com tregoi të dhëna në lidhje me rastin.
Përveç 5 të plagosurve që janë në intensivë, që automatikisht llogariten të arrestuar, Policia ka ndaluar edhe një person tjetër, ndërsa janë në kërkim të së paku edhe dy personave të tjerë të dyshuar.
“Bashkë me prokurorin kujdestar, me krimteknikën, policët shtesë të angazhuar. Janë dy familje të cilat si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme kanë qenë të përfshira edhe sot në ngjarje”- tha Gashi.
Në anën tjetër siç konfirmoi kryeprokurori Gashi “Një person është i ndaluar për një vepër penale të mëhershme, është ngritur aktakuzë të enjten, për të Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar edhe masën e vazhdimit të paraburgimit” – tha tutje ai.
Fjala është për Shkumbin Sekiraqën, ndaj të njëjtit është ngritur aktakuza javën që lamë pas.
E gjithë ngjarja që u regjistrua sot, dyshohet se ishte për rastin për të cilën u akuzua nga Prokuroria e Prishtinës, Shkumbin Sekiraqa.
Kryeprokurori dha detaje edhe për vendin e ngjarjes dhe gjuajtjet me armë.
“Këtu në vendin e ngjarjes minimum 3 persona kanë sulmuar me armë të gjata, ka nisur një shkrepje me armë – kanë mbetur të plagosur 5 persona dhe një person ka mbetur i vdekur” – tha Gashi.
“Në kërkim janë minimum 2 persona të dyshuar, një ende nuk është i identifikuar” – shtoi ai.
Në këtë ngjarje një person ka mbetur i vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur, me ç’rast po trajtohen në QKUK.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur rreth ores 22:00 të datës 01.09.2024 në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës.
Ngjarja dyshohet të ketë filluar në një lokal e më pas ka kaluar edhe në rrugë.
02.9.2024 – 24:59
Trupi i pajetë i personit që mbeti i vrarë është tërhequr nga ekipet e Mjekësisë Ligjore
Tashmë në vendin e ngjarjes janë ekipet policore si dhe njësia e Forenzikës e Balistikës, hetuesit e nga Prokuroria e Prishtinës.
Deri më tani Policia ka mbledhur prova të ndryshme e të shumta në numër që do bëhen pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen që ndodhi orët e mbrëmjes të së dielës më 01.09.2024 në Prishtinë.
Në anën tjetër, pesë të plagosurit nga kjo ngjarje janë duke u trajtuar në Emergjencë të QKUK-së.
Kallxo.com mëson se në këtë ngjarje dyshohet se janë të përfshirë dy grupe.
Viktima që mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes KALLXO.com mëson se ishte edhe i armatosur.
Një person tjetër është duke u kërkuar nga Policia, ndërsa siç mëson Kallxo.com, në ndjekje të një motori policët janë aksidentuar dhe kanë pësuar disa lëndime trupore përveç dëmeve materiale të veturës së policisë.
02.9.2024 – 24:53
Trupi i viktimës së rastit në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës ende nuk është larguar nga vendi i ngjarjes
Ngjarja që dyshohet se filloi në një lokal, vazhdoi edhe në rrugë dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një person mbeti i vdekur dhe pesë të plagosur.
Prokuroria e Prishtinës, hetuesit e Policisë dhe Forenzika janë në vendin e ngjarjes.
Mbi 70 pika të Forenzikës janë vendosur në perimetrin e vendit të ngjarjes.
02.9.2024 – 24:13
Policia aktivizon ‘unazën e çeliktë’ për të kapur personat që dyshohet se ikën nga vendi i ngjarjes
Persona të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në Aktash, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
KALLXO.com ka mësuar se Policia e Kosovës ka aktivizuar ‘unazën e çeliktë’ në pjesë të ndryshme të Prishtinës për të kapur personat që dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes ku u vra një dhe u plagosën pesë persona.
DIREKT nga vendi i ngjarjes – Vrasja dhe plagosja e disa personave në Prishtinë
01.9.2024 – 23:53
Njëri nga të plagosurit e rastit në Aktash u gjet në rrugë me armë të gjatë në krah
Njëri nga të plagosurit në rastin në Aktash, siç ka mësuar Kallxo.com u gjet i shtrirë në njërën nga hapësirat e rrugës ‘Gazmend Zajmi’ në lagjen Aktash me një armë të gjatë në krah.
KALLXO.com ka parë pamje e fotografi të vendit të ngjarjes në fillim kur pas informacioneve ekipet e para të Policisë erdhën në terren.
Siç ka mësuar KALLXO.com, pati persona edhe të maskuar të cilët shkuan afër një lokali në lagjen Aktash dhe më pas edhe qëlluan me armë zjarri.
Bresheri plumbash me armë të gjata e të shkurtra u gjuajtën në orët e mbrëmjes së të dielës në Lagjen Aktash në Prishtinë.
Deri më tani KALLXO.com ka informacione për një të vdekur dhe pesë të plagosur.
01.9.2024 – 23:47
Vrasja në Aktash të Prishtinës dyshohet se ndodhi në një lokal
Ngjarja e vrasjes dhe plagosjes së pesë personave të tjerë në Aktash të Prishtinës dyshohet se ka ndodhur brenda një lokali.
Siç mëson Kallxo.com, tashmë Policia do të intervistoj një person si dhe tashmë do të kërkoj qasje në kamerat e sigurisë nëse ka, brenda hapësirave të lokalit ku nisi ngjarja e që përfundoi me të shtëna armësh.
Një person tashmë është konfirmuar i vdekur kurse pesë persona po trajtohen në Emergjencën e QKUK-së.
01.9.2024 – 23:42
Pesë persona po trajtohen në Emergjencës e QKUK pas plagosjes në ‘Aktash’ të Prishtinës.
Avdush Bajgora, mjek kujdestar në Qendrën Emergjente ka konfirmuar se janë pesë pacientë që po reanimohen në QKUK.
“S’muj me të dhanë deklaratë sepse gjendja e tyre mundet me ndryshu në sekonda. Pesë pacientë janë, janë duke i reanimu” – deklaroi shkurtimisht Bajgora.
Pesë persona po trajtohen në Emergjencë pas të shtënave në Prishtinë, një i vdekur
Një person ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga të shtënat me armë që kanë ndodhur në orët e mbrëmjes në lagjen ‘Aktash’ në Prishtinë.
KALLXO.com ka konfirmuar nga Prokuroria e Prishtinës se një person është i vdekur, ndërsa ende nuk dihet saktë numri i të plagosurve.
Siç merr vesh KALLXO.com edhe Kryeprokurori i Prishtinës ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e hetuesve.
Të shtëna armësh në Aktash të Prishtinës – Policia në vendin e ngjarjes