Zjarrfikësit në Greqi duke shuar zjarret në afërsi të fshatit Rodopoli, në veri të Athinës. 27 korrik, 2021. FOTO: REL/Reuters
Një i vdekur nga zjarret e furishme në Athinë
Një person ka vdekur si pasojë e zjarreve të ashpra në periferi të Athinës gjatë të hënës, kanë raportuar autoritetet greke.
Trupi besohet të jetë i një gruaje, e cila ishte gjetur brenda një dyqani në qytezën Vrillisa, në veri të Athinës, ka bërë të ditur për BBC-në një burim brenda brigadave zjarrfikëse.
Mijëra persona janë evakuuar pasi zjarrfikësit paralajmëruan qytetarët, bizneset dhe shkollat se ishin të kërcënuara nga zjarret e furishme. Zjarret pritet të vazhdojnë edhe të martën.
Koloneli Vassilios Vathrakogianis, zëdhënës i zjarrfikësve, ka thënë se nuk ka asnjë vatër të vetme aktive zjarri në rajonin verilindor të Atikës, që përfshin edhe pjesë të Athinës, por e ka pranuar se ka ende “flakë të lokalizuara aktive”, kryesisht përreth qytezave të Maratonës dhe Pentelit.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën mbrëma vonë, ai ka shtuar kushtet për zjarre të reja vazhdojnë të jenë të rrezikshme edhe për martën, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojnë edhe gjatë tërë javës.
Më shumë se 700 zjarrfikës, 199 makina dhe 35 fluturake janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, të cilat shpërthyen të dielën pasdite 35 kilometra larg kryeqytetit grek. Dy zjarrfikës po trajtohen për shkak të plagëve të marra gjatë shuarjes së zjarreve.
Zyrtarët kanë thënë se zjarre kanë shpërthyer të hënën në 40 lokacione të ndryshme dhe se në disa vende vatrat e zjarrit kishin flakë të larta deri në 25 metra.
Në skena të pashembullta, qytetarët në Athinë kanë bartur maska për t’u mbrojtur nga tymi, që ka arritur deri në qytet. MIjëra persona janë evakuuar derisa zjarret po arrinin në periferi të Athinës.
Pavarësisht rrezikut, disa qytetarë të Pentelit kanë vendosur të qëndronin në shtëpitë e tyre, me shpresë se nuk do të lejonin të digjeshin shtëpitë e tyre.
“Kjo dhemb. Jemi rritur në pyll. Ndihemi të pikëlluar dhe të zemëruar”, ka thënë banorja 24-vjeçare, Marina Kalogerakou, për agjencinë e lajmeve Reuters, derisa po mundohej me kovë të fikte zjarrin që kishte përfshirë pyllin.
Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ka aktivizuar zyrtarisht ndihmën nga Italia, Franca, Rumania dhe Çekia për Greqinë, gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian.
Një helikopter “Super Puma” pritet të mbërrijë nga Franca, një fluturake kanadeze nga Italia dhe 75 helikopterë bashkë me 25 kamionë nga Republika Çeke. Ndihmë pritet të ketë edhe nga Spanja dhe Turqia.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com