Autostrada "Ibrahim Rugova" - Foto: Ministria e Infrastrukturës

Një i vdekur nga aksidenti në autostradën "Ibrahim Rugova"

Një person ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të Suharekës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për KALLXO.com se në veturën e aksidentuar kanë qenë 4 persona.

“Referuar informacioneve nga mjekët kompetentë, si pasojë e vetaksidentit një nga personat e lënduar ka ndërruar jetë”, ka thënë Kelani.

Tre nga katër personat e lënduar në këtë aksident janë dërguar në Emergjencë në Prizren.

Kelani ka thënë se njësitet policore janë duke u marrë me rastin.

Sipas informacioneve të Policisë, aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 10:55.