Një i vdekur në një aksident trafiku në Magurë të Lipjanit

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur në fshatin Magurë të Lipjanit, të mërkurën më 31.07.2024, njofton Policia.

Sipas Policisë, viktima është goditur nga një veturë  që po drejtohej nga një burrë tjetër, derisa ka qenë duke ngasur biçikletën.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion”- thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Tutje në raport thuhet se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.