Një i vdekur e një i lënduar rëndë në një aksident trafiku në Prizren

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë në një aksident trafiku që ka ndodhur sonte, më 12.02.2025, rreth orës 22:25, në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, dalja Prizren Jug.

Sipas Policisë së Kosovës, në këtë aksident është përfshirë një automjet me targa vendore.

“Si pasojë e aksidentit raportohet se një person ka humbur jetën dhe një tjetër person ka pësuar lëndime të rënda. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore të autostradës” – tha për KALLXO.com Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Hoxha tha se për shkaqet e aksidentit do të dihet pas përfundimit të hetimeve që po zhvillohen nga njësitet kompetente policore.

Kujtojmë se një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur sonte, më 12.02.2025, në rrugën Shtime-Suharekë, konkretisht në Carralevë, ku një 42-vjeçar nga Suhareka ka humbur jetën pas aksidentit në të cilin ishin të përfshirë vetura të cilën e drejtonte viktima dhe një autobus.