Një i vdekur e dy të lënduar në aksident në autostradën "Ibrahim Rugova"

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 16:10 në autostradën “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prishtinë-Prizren, në Vërmicë.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona të tjerë.

Të njëjti janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.

“Njësitet kompetente policore iu kanë përgjigjur rastit, përderisa ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka humbur jetën. Dy persona të tjerë po ashtu si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Prizren. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti i hetimeve, zjarrfikësit si dhe autoambulanca, për rastin gjithashtu është njoftuar edhe Prokurori e Mjekësia Ligjore”- ka thënë Hoxha.

Sipas tij, hetime aktive janë duke u kryer për shkaqet që kanë dërguar deri tek aksidenti i rëndë dhe me pasoja tragjike.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe kufizimet e shpejtësisë, posaçërisht në kohë të ndryshimeve atmosferike dhe reshjeve për të shmangur raste të tilla të aksidenteve me pasoja fatale.