Një i vdekur dhe 29 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Një tjetër pacient humbi jetën në spitalin Infektiv duke e çuar në 18 numrin e pacientëve që kanë ndërruar jetë nga COVID-19. Viktima është një 67 vjeçar nga Tirana Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 29 raste të reja duke e çuar në 333 numrin e të infektuarve në total në të gjithë Shqipërinë.

“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19.

Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit.

Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri” informoi Dr. Marjeta Dervishi Instituti i Shëndetit Publik. Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste.

Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër./ RTV21