Një i vdekur dhe 15 të infektuar në Maqedoninë e Veriut

Një person ka vdekur dhe 15 të tjerë janë infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Në Klinikën Infektive në Shkup ka vdekur një pacient 66-vjeçar nga Struga, i cili ka pasur edhe probleme tjera shëndetësore.

Numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur jetën nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi ka arritur në 82, në këtë shtet.

Sipas raportit ditor të Ministrisë, nga të infektuarit, shtatë janë në Kumanovë, katër në Prilep, dy në Shkup, në Kumanovë shtatë, Tetovë një dhe një tjetër në Strugë. Tani numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1506, prej të cilëve 572 raste janë ende pozitivë.

Ndërkohë, numri i personave të shëruar ka vazhduar të rritet, kështu që në 24 orëve e fundit listës së të shëruarve i janë shtuar 45 raste të reja me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 852, shifër kjo për 280 më e lartë se numri i të infektuarve.

Institucionet shëndetësore kanë bërë thirrje për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit, si mbajtën e maskave dhe dorezave.

“Ne kemi fituar betejën, do të ketë lehtësime të reja, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga masat që kemi aplikuar. Përkundrazi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të respektojmë të gjitha rekomandimet e mjekëve që të jemi të gatshëm për çdo situatë të mundshme”, ka deklaruar Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 130 persona kanë shkelur orën policore dhe 98 prej tyre janë shoqëruar në polici për procedurë të mëtejmë kundërvajtëse./REL