
Një i ri në Gjakovë lëndohet rëndë, i shpërtheu zolla
Një person nga rajoni i Gjakovës është lënduar rëndë nga një mjet shpërthyes dhe si pasojë e plagëve po trajtohet në QKUK.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla për KALLXO.com tha se gjendja e pacientit është e rëndë.
“Pacienti është pranuar rreth orës 03:00, me plagë eksplozive. Është kryer intervenimi në Sallën emergjente dhe në mjekim intensiv. Ka lëndime të mëdha dhe gjendja është e rëndë.” – tha Syla.
Ndërkohë, Policia tha se personi i lënduar është rreth moshës 20 vjeçare dhe sipas hetimeve fillestare ishte ai që e shkaktoi shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij. KALLXO.com mëson se mjeti shpërthyes ishte zollë.
“Sot, rreth orës 01:20, një mashkull rreth 20 vjeç është dërguar për trajtim mjekësor, si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga një mjet shpërthyes. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë të gjitha Njësitë relevante policore dhe sipas hetimeve fillestare dyshohet se viktima ka shkaktuar aksidentalisht shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij, në fshatin Dobrigje – Gjakovë.” – tha Sheremet Elezaj, nga Policia e Gjakovës.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit. Teksa rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.