Një i plagosur nga të shtënat afër metrosë së Brukselit

Policia iu përgjigj të shtënave në një incident të dytë brenda më pak se dy ditëve pranë Stacionit të metrosë “Clémenceau” në Bruksel, të enjten, më 06.02.2025 – raporton televizioni Euronews.

Sipas Prokurorisë Publike të Brukselit nga incidenti ka mbetur i lënduar një person, i cili është dërguar në Spital.

Prokurori Julian Moinil ka deklaruar për radion RTBF se të shtënat u dëgjuan gjatë natës, rreth orës 03:00 dhe se autori përdori një pistoletë.

Autoritetet kanë dërguar një ekip në vendin e ngjarjes për ta hetuar.

Incidenti është i dyti brenda dy ditëve pranë Stacionit të metrosë “Clémenceau”. Nuk dihet ende nëse të dy rastet kanë lidhje të drejtpërdrejtë, por dyshohet se kanë lidhje me mosmarrëveshjet territoriale mes bandave të drogës.

“Për 24 orë patëm tri (raste) të shtënash: dy në Anderlecht dhe një në Saint-Josse-ten-Noode.” – ka deklaruar Moinil. “Nuk e dimë se me kë kemi të bëjmë.”

Të mërkurën, më 05.02.2025, dy linja metroje dhe disa linja tramvaji u pezulluan përkohësisht, pasi Policia ishte në kërkim të personave të armatosur e të maskuar.

Pamjet nga kamerat e vëzhgimit treguan dy persona të cilët mbanin automatikë – kallashnikovë duke hapur zjarr jashtë Stacionit, përpara se të iknin tuneleve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com