Një i dyshuar për shtytje në vetëvrasjes dhe fajde në rastin e Graçanicës ekstradohet nga Shqipëria
Dy burra, babë e bir, u arrestuan e një tjetër ishte në kërkim të Policisë së Kosovës pasi një person vrau vetën më 14.05.2024 në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Dy të arrestuarit e i kërkuari dyshohen për dy vepra penale, shtytje në vetëvrasje e fajde.
Lidhur me këtë rast, një person i dyshuar është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë dje, më 11.07.2024.
“Lidhur me rastin, më 11.07.2024 nga Republika e Shqipërisë është ekstraduar i dyshuari. I njëjti pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – tha Policia në raportin 24-orësh.
KALLXO.com kishte raportuar lidhur me këtë ngjarje.
Skender dhe Albion Tasholli – babë e bir nga Lipjani, janë të dyshuarit e Prokurorisë për shtyrje në vetëvrasje të B. S. në magjistralen Prishtinë-Ferizaj më 14.05.2024.
B. S. ishte gjetur i varur në litar në një garazh të autosallonit N. N. rreth orës 07:55.
Ndaj dy të dyshuarve Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar masën e paraburgimit, kurse i dyshuari tjetër Ekrem Gashi ishte shpallur në kërkim policor.
KALLXO.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë për rastin, në të cilën ishte shpjeguar e gjithë situate se si kishte ndodhur.
Sipas hetimeve të kryera nga ana e prokurorisë, të dyshuarit i kishin bërë presion viktimës të kontraktojë një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
Këtë, dosja thotë se të dyshuarit e kanë bërë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiarë dhe me këtë kanë kërkuar shuma të parave me fajde dhe për shkak të kërcënimeve kanë shtytë B. S. të kryejë vetëvrasje.
Dosja thotë se viktima kishte lënë një letër të shkruajtur me dorë ku kishte treguar se të pandehurit e kishin “shti” në fajde.